Chris Martin dhe Dakota Johnson janë fejuar. Këngëtari i Coldplay i propozoi aktores 34-vjeçare pak kohë më parë dhe ka bekimin e plotë të ish-bashkëshortes së tij Gwyneth Paltrow dhe dy fëmijëve të tyre.

Çifti u fejua pak kohë më parë dhe e kanë mbajtur lajmin privat. Por tani rrethi i tyre i ngushtë e di. Ata kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin që nga dita e parë, kështu që ndërmarrja e këtij hapi ishte e pashmangshme”, thotë një burim për tabloidin britanik The Mirror.

Pas fejesës ata po planifikojnë edhe të martohen, megjithëse nuk po e marrin me ngut organizmin e ceremonisë së dasmës. Chris Martin dhe aktorja janë njohur nga miq të përbashkët. Ata e bënë daljen e parë publike në vitin 2017, një vit pas divorcit të muzikantit nga aktorja fituese e Oscar-it, Gwyneth Paltrow.

Në qershor 2019, dyshja pati një krisje, që u përfol se lindi si rezultat i përpjekjeve të këngëtarit që ata të kishin fëmijë. Megjithatë, ky ishte një hap që aktorja nuk ishte e gatshme që ta ndërmerrte për shkak të angazhimeve profesionale. Aktualisht, Dakota është e gatshme për të krijuar familje me artistin.

Klan News