Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Partisë Socialiste bën thirrje për unitet dhe respektimin e disiplinës brenda partisë. Në këtë mënyrë, Fatos Nano iu drejtua të gjithë socialistëve edhe kundërshtarëve të tij brenda partisë, që për të përballuar krizën aktuale dhe sfidat që ka përpara partia, kërkohet solidaritet dhe disiplinë.

Me t’u kthyer nga Brazili, shefi i ekzekutivit bëri këtë deklaratë me festën e partisë për anëtarësimin në Internacionalen Socialiste.

Fatos Nano:- “Misioni ynë dhe anëtarësimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë në Internacionalen Socialiste, shënojnë për të gjithë ne, nisjen e një epoke të re sfidash dhe angazhimesh, politike përfaqësuese dhe qeverisëse, realizimi i të cilave kërkon akoma më shumë përgjegjësi, më shumë solidaritet të brendshëm, më shumë disiplinë dhe rregull, më shumë hapje ndaj faktorëve dhe aktorëve të progresit, më shumë dashuri dhe kontribut, për idealin dhe PS, për Shqipërinë europiane që po ndërtojmë së bashku”.

Në festë u vërejt mungesa e ish-kryeministrit Meta, si dhe e disa deputetëve të tjerë përkrahës të tij. Ilir Meta iu bashkua festës së socialistëve gjatë pasdites, megjithatë nuk pati shtrëngim duarsh mes tij dhe kryetarit të partisë, Fatos Nano, duke paralajmëruar dimër të akullt për socialistët.

Ilir Meta:- “Unë kam pasur një angazhim diplomatik të planifikuar paradite, kështu që siç e shikoni jemi pasdite. Unë mendoj se zoti Nano padyshim që po e personalizon, vetë fakti që ai nuk mori në këtë delegacion sekretarin ndërkombëtar të PS, duke e zëvendësuar me të afërm të këshilltarëve të tij, tregon që ai ecën edhe në rrugën e personalizimit, të kësaj ngjarje, por është shumë e vështirë të personalizojë një ngjarje të tillë, pasi kjo është një ngjarje e cila ka në themelet e saj përpjekjet e socialistëve progresistë shqiptarë gjatë gjithë këtyre 11 viteve, për të afirmuar ato vlera të cilat ekzaktësisht sot zoti Nano nuk i përfaqëson”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj