Edhe në Amerikën e Jugut do të vendoset kombëtarja kampione e kontinentit. Në orën 2 të mëngjesit të së hënës, Kolumbia do të përballet me Argjentinën në “Hard Rock Stadium” në Majemi të Floridës. Trajneri i “albiçelestëve” Lionel Skaloni analizon kundërshtarët për këtë sfidë vendimtare.

“Kjo është finale dhe secila prej finaleve ka nuancat e veta! Ne do të përpiqemi që të bëjmë lojën tonë, që është gjëja më e rëndësishme, të luajmë e të fitojmë nëpërmjet lojës. Por mendoj se çdo ekip që shkon në finale e njeh shijen e saj, e po ashtu ia di vlerën. Stili ynë nuk do të ndryshojë për këtë takim. Nuk do të fokusohemi te një lojtar, por tek i gjithë ekipi! Kolumbia është një ekip i mirë dhe ne do të mbrojmë si grup. Duam që të jemi ne që ta kontrollojmë lojën!”

Ndërsa trajneri i “Los Kafeteros” Nestor Lorenzo deklaroi se skuadra e tij duhet të tregojë versionin më të mirë të vetes që të fitojë kundër Argjentinës.

“Ne duhet të jemi versioni më i mirë i yni për të mposhtur rivalët. Nëse nuk do të kishim performuar aq mirë sa kemi bërë, nuk do të ishim këtu duke konkurruar me Argjentinën dhe për të fituar kundër Argjentinës duhet të kesh versionin më të mirë të secilit lojtar dhe ta shumëfishosh atë. Argjentina edhe kur nuk e ka topin është e rrezikshme. Mendoj se dy skuadrat janë shumë të ngjashme! Argjentina ka pasur një proces më të gjatë për t’u rritur si grup dhe tashmë ka arritur shumë, kurse ne jemi të uritur për suksese”.

Qyteti i Majemit është mbushur me tifozë të të dyja kombëtareve. Të dyja ekipet kanë një mbështetje mjaft të madhe të tifozëve pasi në Floridën e Jugut janë të lokalizuara disa nga komunitetet më të mëdha argjentinase dhe kolumbiane në SHBA.

Tv Klan