Në intervistë për gazetën e njohur “Financial Times”, kryeministri Edi Rama ka hedhur dritë mbi faktin se ish-kryeministri Boris Johnson ishte lideri i parë që i kishte kërkuar atij transferimin e të gjithë azilkërkuesve në territorin shqiptar. Por kërkesa e britanikëve ishte refuzuar.

Boris Johnson më tha se e vlerësonte udhëheqjen time dhe më sugjeroi që të bënim diçka së bashku. U shpreh se mund të arrinim një marrëveshje që Britania e Madhe të sillte emigrantë të paligjshëm në Shqipëri për t’i mbajtur dhe për t’i përpunuar. I thashë, më fal, kjo nuk është e mundur.

Ndryshe nga marrëveshja italiane, e cila është për strehimin deri në 3,000 njerëz, thekson Rama, oferta e Mbretërisë së Bashkuar nuk ishte “një numër fiks”.

“Oferta ishte për të pranuar në territorin shqiptar gjithë që shkonin në Britaninë e Madhe… si tranzit. I thashë se kjo nuk pranohej.”

“Më pas kemi pasur kërkesa edhe nga vende të tjera ndër ato më të pasura në Evropë për të negociuar të njëjtën marrëveshje si ajo me homologen italiane Meloni, por që i kemi refuzuar. Unë ju thashë jo, sepse ato propozime nuk kishin kuptim për mua. Italia është shumë e veçantë për ne, kemi më shumë se një marrëdhënie strategjike me ta. Është një miqësi e rrënjosur thellë. Dua t’u them se marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për emigrantët është unike.”

Rama shprehet se është kundër trajtimit të migracionit si problem sigurie pasi kjo çështje nuk mund të trajtohet nga qeveritë që e transferojnë problemin.

“Përveç Shqipërisë, do të mund të ndihmonin edhe vendet e tjera të Ballkanit nëse ky proçes do të strukturohej mirë dhe do të ruhej në të drejtën ndërkombëtare. Evropa e ktheu atë në një çështje ideologjike, elektorale dhe harroi faktin se do t’i duheshin njerëz për të shmangur një “dimër demografik” dhe si rezultat një rënie ekonomike.”

Plani Rama-Meloni, sipas FT, zgjoi interes nga disa qeveri europiane të qendrës së djathtë. Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë madje e bëri atë pjesë të platformës së saj zgjedhore për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit.

Roma dhe Tirana ranë dakord vitin e kaluar për të ngritur qendra në Shqipëri, ku do të regjistrohen disa mijëra emigrantë të nisur drejt Italisë dhe më pas do të presin që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga zyrtarët italianë.

Kritikët argumentojnë se plani ka probleme ligjore dhe kosto të larta. Gazeta britanike konfirmon gjithashtu faktin se dërgimi i azilkërkuesve në Shqipëri nuk është një ide e re këtë vit, pasi partnerët perëndimorë po përpiqen që nga viti 2020 të marrin ndihmën e Shqipërisë për të strehuar azilkërkuesit që kur ky vend ballkanik priti mijëra afganë të mbetur të ekspozuar ndaj talebanëve, pas tërheqjes së fuqive perëndimore.

Planet e reja të propozuara të BE-së për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën praktike të bashkëpunimit, siç janë transfertat e lehta dhe të lira të parave ose burokracia e reduktuar e tregtisë ndërkufitare, do të ishin të pamundura të imagjinoheshin pesë vjet më parë.

Si kritik i procesit të ngadalshëm të zgjerimit të BE-së, Rama vëren se autoriteti moral i bllokut po zbehet ndërsa Europa ballkanizohet.

Gazeta britanike “FT” thekson se më shumë se një milion shqiptarë kanë emigruar në BE dhe Britani të Madhe ndër vite, një e treta e popullsisë totale të vendit.

Klan News