Drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra, ka reaguar në fund pasi ditën e sotme u trajtua humbja tragjike e jetës së Noah, 3-vjeç, në një kopsht privat në Fier.

Kodra tha se shpreson që ky rast tragjik të jetë një kambanë alarmi për institucionet në vendin tonë.

“Sot më vjen keq që e them dhe njëherë, por ka kopshte që janë të paregjistruara. Këtë e them nga denoncimet e prindërve që zihen me pronarët e kopshteve, apo me një edukatore, e largojnë dhe pastaj e denoncojnë. Pra sot nuk mund të jetë kopsht një dhomë e kuzhinë në katin e katërt të një pallati dhe të ofrojë të mbajë ca fëmijë brenda. Nuk mund të jetë ky kopshti sot. Kopshti duhet të jetë një godine fiks për kopsht me dalje emergjence, me sistemin antizjarr, i mbrojtur, në ambiente që fëmijët nuk dëmtohen, nuk bien nga shkallët. Kaq e vështirë është që të bëhet në këtë vend? Uroj që me largimi i Noah nga kjo jetë të shërbejë si kambanë e madhe alarmi për të gjitha këto instanca që duhet të rregullojnë këtë lloj gjëje. E uroj me të madhe këtë. Janë ngjarje që mund të ndodhin në çfarë do lloj vendi të botës, por të jesh i sigurt që nuk do të kesh dilema vdekja e një fëmije në një vend tjetër në botë apo Europë. do të ishin kamerat, do të ishin ku di unë sa gjëra të tjera. Uroj dhe e di shumë mirë që Noah sot është engjëll shumë i mirë atje lart dhe uroj që t’u shërbejë këtyre fëmijëve të tjerë këtu poshtë largimi i tij nga kjo botë për të pasur një siguri shumë më të madhe në kopsht”, tha Kodra.

Prindërit e Noah treguan gjatë emisionit “Stop” momentin tragjik se kur mësuan lajmin tragjik të vdekjes së birit të tyre. Ata rrëfyen dyshimet dhe 2 versionet që ka dhënë edukatorja Redina Binjaku që ka qenë në kujdesin e Noah ditën e ngjarjes.

Mjeku i spitalit të Fierit që ka pritur 3-vjeçarin ka treguar se fëmija ka shkuar i vdekur në spital, ndërsa ka pasur edhe shenja. Ndërkohë pas  investigimeve, kopshti privat, nuk ka pasur kamera sigurie që të ketë filmuar se çfarë ka ndodhur në vendin ku pretendohet se ka ndërruar jetë Noah./tvklan.al