Në më pak se 30 minuta, u zhvillua seanca plenare këtë të Hënë e shoqëruar me një sërë tensionesh. Që në nisje të saj, në orën 17:00, deputetët e PD-së ashtu siç kishin paralajmëruar krijuan kaos në sallë. Ata hodhën sende në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali. (Lexo më shumë) Më tej, Spiropali njofti vakancën për ish-deputetin demokrat Ervin Salianji i cili u dënua me 1 vit burg pak ditë më parë për kallëzim të rremë.

Teksa Garda u bë “gardh” te foltorja, opozitarët morën karriget e tyre dhe i zhvendosën ato jashtë Parlamentit. Kjo një shenjë revolte për atë që ata e cilësojnë ‘burgosje politike e Salianjit’.

Më pas, karrigeve u vunë flakën! (Shihni pamjet)

Ky akt ekstrem që nuk e kemi parë deri më sot në Kuvend, përpos revoltës, demonstroi vendosmërinë e opozitës për ta çuar më tej aksionin e saj. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se ‘është Edi Rama ai që i ka vënë flakën Parlamentit’. (Lexo më shumë)

Në orën 17:23, në kushtet e debatit kryetarja e Kuvendit u detyrua të mbyllë seancën. Ajo përjashtoi Flamur Nokën, pasi ky i fundit pati përplasje verbale me socialistin Petro Koçi. Jashtë Kuvendit, Noka theksoi se panorama e sotme do të jetë e njëjtë në vijim. (Lexo më shumë)

Edhe eksponentë të tjerë të opozitës u shprehën me bindje se me PS nuk ka dialog. Ata paralajmëruan protestë madhështore më datë 7 Tetor dhe shtuan se krijimi i qeverisë teknike është e vetmja zgjidhje!


Deklaratat e secilit deputet për gazetarët:

Agron Gjekmarkaj: Edhe karrigia ime u dogj! Ne nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë liritë që kemi fituar në dhjetor të 1990-ës, nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë pluralizmin. Nuk e pranojmë planin ogurzi për shpërbërjen e opozitës. Data 7, ora 18:00 shqiptarët duhet të jenë në rrugët e Tiranës për të mbrojtur demokracinë dhe opozitën që është nën agresion për t’u zhbërë!

Dhurata Çupi: Edi Rama ka djegur Kushtetutën, ka shitur Shqipërinë, ka djegur Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Lartë, kështu që nuk ka asnjë lloj normaliteti me Edi Ramën kryeministër. Ditën e Hënë të gjithë bashkë në shesh!

Dashnor Sula: Sot gjithë opozita jemi të vendosur nga i pari tek i fundit duke lënë gjithçka tutje, ndasi apo mendime të ndryshme. Çdo qytetar shqiptar i ftojmë në protestën më madhështore në 34 vite demokraci. Pika e fundit që derdhi gotën e ujit ishte goditja dhe burgosja e nënkryetarit të PD Ervin Salianji. Ai është i burgosur i pastër politik. Po vuan dënimin për një kallëzim të rremë publik që nuk ekziston. Ka bërë një hakmarrje primitive e personale duke nisur nga Rama dhe gjithë mazhoranca.

Ina Zhupa: Edi Rama ka djegur rendin kushtetues, Ka kapur çdo pushtet dhe janë të paktën 3 burgosje politike, që nga lideri Sali Berisha e deri te Salianji. Kanë çuar në burg një deputet me vullnetin politik të Edi Ramës. Ne jemi të vendosur t’u dalim për Zot shqiptarëve, do jenë të gjithë në rrugë në 7 Tetor. Për të treguar se flaka do i dalë këtij sistemi në rast se nuk zbatohet rendi kushtetues në Shqipëri.

Luan Baçi: Simbolika e sotme është zjarr kundër korrupsionit. Mund të na akuzojnë ne për vandalë, por ata janë vandalët e korrupsionit. Ne nuk do ndalojmë, kjo ka filluar në 30 Dhjetor 2023 me arrestimin politik të Sali Berishës. Qysh atë ditë duhet t’i kishim vënë zjarrin vendit.

Asllan Dogjani: Dënimi i Salianjit me urdhër politik të Ramës tregoi që ai nuk ka limit, por ne do e ndalojmë me çdo kusht. Ai tregoi se ka në dorë gjykatat, prokurorin, Policinë, oligarkët dhe grupet kriminale. Ka ardhur koha që qytetarët ta marrin në dorë fatin etyre, ta rrëzojmë Ramën. I madh e vogël të ngrihen në këmbë dhe ta zhdukin këtë qeveri!

Lindita Metaliaj: Nga sot, nuk mund dhe nuk do të ketë më normalitet. Sa kohë Rama i ka shpallur luftë PD dhe opozitës, luftë do ketë!

Pas seancës së sotme që në fakt mund të shihet edhe si ‘hakmarrje’ e PD për burgosjen e Salianjit, ky i fundit pati një reagim nga qelia. (Lexo më shumë)

E.D/tvklan.al