A ishte e mundur të shpëtonte jeta e të paktën 21 klandestinëve që u mbytën në afërsi të Karaburunit? Tashmë është e sigurt se strukturat përkatëse duhet të kishin vepruar në kohë, e tragjedia mund të evitohej. Jo vetëm kaq, por zëdhënësi i NATO-s, Antonio Pasaro, tregon se helikopteri i NATO-s është ngritur krejt rastësisht. Komanda e NATO-s është vënë në dijeni nga telefoni i një gazetari dhe ka qenë gjenerali i saj që është interesuar për ta verifikuar lajmin pranë gjeneralit të Shtabit, Qazimi. Vetëm pas kësaj është kërkuar ndihmë nga Shefi i Shtabit të Prgjithshëm.
Antonio Pasaro: “Lajmin e mora nga burime të një gazetari. Sigurisht një informacion duhet verifikuar më parë se të besohet. Njoftova komandën për të bërë verifikime të mëtejshme e komandanti i Nato-s, gjenerali Sandros Santroni, kontaktoi e verifikoi me autoritetet shqiptare. Ai vazhdimisht mban kontakte me gjeneralin Qazimi e po ashtu me grupin Naval 28, që është në Durrës. Lajmi nuk u vonua shumë për t’u vërtetuar dhe u sigurua pas kontakteve që patëm rreth orës 8:30 dhe 9:00 të mbrëmjes.”
Kur ora shënonte 2:00, është dhënë lajmi, pra tre orë më vonë se gomonia kërkonte ndihmë e që autoritete vendase e dinin më parë.
Antonnio Pasaro: “S’mund të them diçka të saktë në lidhje me këtë, pasi lajmi lëviz, është e qartë që personat që banoin pranë bregut e kanë parë dhe patur më parë lajmin se unë që isha në Tiranë. Nuk di të them, por duket se autoritetet shqiptare kanë qenë më parë në veprim. Këtë e kam marrë vesh nga gazetat.”
Helikopteri i NATO-s ka kërkuar thuajse dy orë mbrëmjen e 9 janarit. Ka rinisur në mëngjesin e datës 10 e më pas janë ndërprerë kërkimet në mesditë.
Antonio Pasaro: “Bëhet fjalë për sekonda dhe s’është e rëndësishme që gjenerali Santroni e mori lajmin nga atoritetet shqiptare apo isha unë që e lajmërova atë, por është një fakt që gjenerali nuk do ta autorizonte nisjen e helikopterit pa kontaktuar me autoritetet shqiptare. Helikopteri u nis nga Durrësi dhe operacioni nisi në orën 10:30 dhe vazhdoi deri në orën 12, por ka pasur nevojë për karburant dhe ka zbritur për furnizim në Vlorë. Në këtë kohë është akorduar mes dy palëve duke parë kushtet atmosferike dhe duke vendosur që kërkimet të shkëputeshin për njëfarë kohe më të favorshme. Operacioni filloi të nesërmen në orën 6:30 deri në 7:00. Pasi u gjend gomonia, helikopetri kërkoi edhe dy orë të tjera deri në orën 12:00 dhe më pas operacionet u ndërprenë. Pala shqiptare nuk e pa të nevojshme të përdorte helikopterin, por kjo s’do të thotë që mbaroi operacioni. Ajo e vazhdoi atë.”
Mosfunksionimi si duhet i strukturave përgjegjëse shqiptare për të ndërhyrë vetë e kërkuar ndihmë në kohën e duhur nga forcat e NATO-s është përgjegjësia e parë dhe minimale që duhet analizuar./tvklan.al