Ditët e fundit, nëpërmjet Doganës së Kakavijës po kthehen në atdhe disa mijëra emigrantë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi. 80 % e tyre kthehen me mjetet e tyre dhe pjesa tjetër me autobusët e agjencive. Është rruga nacionale Kakavijë-Fier që është e tejmbushur ku nuk kanë munguar aksidentet.

Fieri është qendra kryesore që këta mijëra emigrantë të jugut shpërndahen në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të cilat këto ditë kanë rënduar tejmase trafikun rrugor. Janë policët e Fierit, ata që mundohen të mbajnë nën kontroll këtë trafik të rënduar, të cilët punojnë në shërbim 24 orë dhe suplementar.

“Për shkak të fluksit të madh të mjeteve që vijnë si nga Greqia dhe të pushusëve që lëvizin nëpër plazhe, fluksi i mjeteve është shumë i madh. Për këtë qëllim shërbimi i policisë rrugore vazhdon me shërbime 24 orëshe në rrugë, gjithashtu me shërbime suplementare të vendosura në pikat me trafik më të rënduar dhe ndër këto është dhe kryqëzimi i Parkut që quhet, i cili lidh jugun e Shqipërisë, pra lidh Gjirokastër, Tepelenë, Fier, me Vlorën dhe Tiranën. Është i vetmi kryqëzim që lidh këto akse.”

Gazetari: “Duke pasur fluks të madh, a ka pasur aksidente?”

“Deri tani ka pasur probleme të vogla, pra përplasje mjetesh me llamarina, pra nuk kemi pasur probleme të tjera të shkallës së rëndë.”

Duhen orë të tëra që të dalësh nga kthesa e Patosit deri te vendi i quajtur Kryqëzimi i Fierit, ku mjetet shpërndahen në qytetet e tjera, si Vlorë, Lushnjë ,Tiranë, Durrës si dhe më thellë vendit, deri në Shkodër. /tvklan.al