Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq klubin e futbollit të Tiranës dhe presidentin Refik Halili. Ndaj klubit dhe Halilit janë ngritur akuzat e fshehjes së të ardhurave.

Bëhet fjalë për një procedim penal të vitit 2017, dhe nga hetimet ka rezultuar se klubi i futbollit Tirana ka fshehur rreth 52 milionë lekë të ardhura, që i përkasin viteve 2014-2015 dhe 2016.

Gjatë kësaj periudhe “Futboll Klub Tirana” ka patur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistit 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016.

Por, në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk janë deklaruar në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit.

Në këtë mënyrë subjekti “Klubi i Futbollit Tirana sh.a” dhe administratori Refik Halili kanë shmangur tatimin mbi fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.

Nga hetimet rezultoi se Halili, ka konsumuar veprën penale të “fshehjes së të ardhurave” duke mos kryer deklarimet dhe duke bërë deklarime të pavërteta apo informacione joreale në organet tatimore, vlerësimi i të cilave çon në përllogaritje të pasaktë të shumës së tatimit, taksës apo kontributit dhe për këtë arsye rezulton se ky subjekt të ketë fshehur tatimin e TVSH që ka arkëtuar nga dhe të tatim fitimit përkatës që duhet të deklaronte dhe mbi të cilin do të llogaritej tatimi mbi fitimin.

Ndërsa subjekti “Klubi i Futbollit Tirana sh.a” ka konsumuar gjatë aktivitetit të tij elementë të veprës penale ‘Fshehje e të Ardhurave’, ku vlera e fshehjes reale pa penalitete është 52 milionë lekë.

Klan News