Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook-un e tij pamje nga Muzeu i Forcave të Armatosura në Bërzhitë. Siç shihet në video, shumë njerëz kanë zgjedhur që në fundjavë të vizitojnë këtë muze si një pikë e rëndësishme që tërheq turistët dhe i njeh ata me historinë e ushtrisë shqiptare.


“Fundjava në Muzeun e Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë, destinacioni turistik i një historie politike unikale të ushtrisë shqiptare, e cila gjatë komunizmit u armatos deri në dhëmbë për të luftuar me tërë botën, në Shqipërinë e izoluar si një Kore e Veriut, në mes të Europës, ndërkohë që muzeu ofron edhe një hapësirë të gjelbër e një vendpushim kafeje, ku vizitorët shijojnë ajrin e pastër të rrethuar nga objekte të kujtesës e të traditës shqiptare”, shkruan Rama.

Kujtojmë se pak ditë më parë në kryeqytet u çel edhe Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila sipas kreut të qeverisë është një “faqe e re në modernizimin e ushtrisë së vendit”./tvklan.al