Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas virusit ngjitës për bojkotimin e zgjedhjeve, lideri reformator Genc Pollo ka qenë në vatrën e nisjes së tij në Dhëmblan të Tepelenës, fshat që ka si deputet kryeministrin Nano. Në bisedën e zhvilluar, Pollo tha, se banorët e komunës mund të kishin 100% të drejtë të ndiheshin të zhgënjyer, por këmbënguli se bojkoti nuk është rruga e duhur.

Genc Pollo:- “Në qoftë se jeni zhgënjyer një herë, rruga më e mirë është që të votohet përsëri tek një parti, tek një person, tek një këshill, i cili ju ngjall besim”.

Në përfundim të tërë pjesëmarrësit u shprehën, për mospranim të bojkotit.

Në takimet elektorale për prezantimin e kandidatëve socialdemokratë në Kuçovë e Perondi, kryetari Gjinushi theksoi, se socialdemokracia dhe e majta janë garanci për zhvillimin e jetës në komunitet, forcimin e qeverisjes vendore dhe konsolidimin e shtetit ligjor në tërësi. Gjinushi argumentoi se socialdemokracia është filozofia dhe mendimi politik që zotëron qeverisjen në rajon dhe Europë, kështu do të jetë dhe pas 12 Tetorit në Shqipëri.

Ishte Elbasani radha e takimit të kryetarit të PLL Ekrem Spahiu, i cili prezantoi kandidatin për kryetar të bashkisë Elbasan, zotin Bujar Çela.

Ekrem Spahiu:- “Sot është demokraci dhe një herë në tre vjet për pushtetin vendor dhe një herë në katër vjet për pushtetin qendror keni mundësi dhe shansin të korrigjoni shënjestrën nëse nuk jeni të kënaqur me qeverisjen vendore apo atë qendrore”./tvklan.al