Fushata reklamuese i ka kushtuar qeverisë italiane rreth 9 mln Euro

Kjo është videoja promovuese e Ministrisë Italiane të Turizmit pak para nisjes së sezonit turistik. Videoja, e cila sjell një panoramë të mrekullueshme të shtetit fqinj është vënë në shënjestër të kritikave e kjo për shkak edhe të një gafe.

I titulluar “Open to Meraviglia”, videoja pjesë e një fushate 9 milionë Euro promovon bukuritë e vendit me pamje të një shtetit tjetër. Janë pikërisht këto pamje të një grup të rinjsh, të cilët pinë verë në një oborr të ndriçuar nga rrezet e diellit.

Megjithatë, shikuesit vunë re se oborri në fjalë është në të vërtetë në rajonin Cotar të Sllovenisë, afër kufirit italian, dhe shishja në tavolinë është verë sllovene dhe jo italiane.

Perendësha Venera shfaqet mjaft moderne dhe duke ngrënë pica. Ajo i prezanton shikuesit me disa nga atraksionet kryesore turistike të Italisë si Koloseumi i Romës apo Katedralja e Firences.

Por për historianin Tomaso Montanari kjo fushatë reklamuese është “groteske”.

Megjithatë, ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanche mbrojti punën e bërë duke u shprehur se paraqitja e perëndeshës romake si një blogere kishte për qëllim tërheqjen e të rinjve.

Klan News