Në një intervistë për Sky Sport Italia, mesfushori Ylber Ramadani nuk e ka fshehur dëshirën e lojtarëve të Kombëtares Shqiptare që në ndeshjen kundër Italisë të shkojnë për të marrë maksimumin e mundshëm, me mbështetjen edhe të tifozerisë, një pjesë e mirë e të cilëve janë edhe tifozë të kombëtares italiane.

“Ka shumë shqiptarë në Itali. Tashmë që ne jemi në Europian, na mbështesin dhe ne jemi të lumtur se kemi tifozët më të mirë në botë. Do të shkojmë në fushë për të bërë më të mirë. Në fushë nuk i dihet asnjëherë, por ne shkojmë për të marrë rezultatin që do të jetë me i drejti”, shprehet ai.

Ramadani tregon se edhe në finalet e euro 2024, grupi është forca e kombëtares shqiptare.

“Mister ka bërë një punë të shkëlqyer, ka bërë një grup fantastik, jemi të gjithë të bashkuar. Në fushë zbatojmë të gjitha porositë e tij. Kemi bërë një punë të mirë në kualifikuese, dhe shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe këtu në europian”, shton ai më tej.

Fakti që një pjesë e mirë e Kombëtares Shqiptare luan në Itali, bën që kuqezinjtë të njohin karakteristikat e lojtarëve të Italisë.

“Jemi 10 lojtarë që luajnë në Itali dhe njohim mirë rolet e futbollistëve të Italisë. Ne mesfushë jemi 3 që luajmë në Serie A dhe duhet të bëjmë gjithçka për të marrë rezultatin që dëshirojmë”, thotë Ramadani.

Merkato është shumë pranë dhe vendimtare për oferta të mira do të jetë paraqitja e lojtarëve në ndeshjet e finaleve. Por Ramadani nuk pranon të flasë për këtë temë, duke treguar se do të bëjë vlerësimet pas Europianit.

Tv Klan