Ish-ministri: Flas në fund, asnjë nga dëshmitarët nuk më ka fajësuar

Fatmir Mediu ka kërkuar në seancën e së mërkurës që të pyetet në fund të procesit pasi të kenë përfunduar dëshminë të gjithë të thirrurit nga gjykata dhe të jenë shqyrtuar provat duke refuzuar kështu prokurorët e SPAK.

Mediu deklaroi se marrja në pyetje tani do të shërbente vetëm si statistikë.

Mediu deklaroi se asnjë nga dëshmitarët nuk ka folur kundër tij në gjykatë. Ai theksoi se ministri i Mbrojtjes nuk ka përcaktuar vendin e demontimit, nuk ka përcaktuar kalibrat dhe nuk ka përgjegjësi për zbatimin e rregullores së trajtimit të municioneve.

Gjatë seancës pati një përplasje mes prokurorëve dhe avokatëve të Mediut dhe të familjarëve të viktimave. Debati u zhvillua për mënyrën e marrjes së dëshmive të 5 shtetasve amerikanë. Prokurorët kërkuan që përgjigjet prej tyre të merreshin nëpërmjet letërporosive pasi është e vështirë nëpërmjet video konferencës për shkak të kushteve teknike, por edhe për shkak të diferencës së orës. Por ky qëndrim u kundërshtua nga avokatët.

Dëshmitari i vetëm i paraqitur në seancën e së mërkurës ishte Dashnor Caushi, ish-anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve, i cili nuk pranoi të fliste.

Klan News