Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, Gjeorgjina Kuli, ka deklaruar se për shkak të anomalive të konstatuara në procedurat e prokurimeve në institucionin që ajo drejton prej pak ditësh rrezikohet dështimi i tetë tenderave për blerjen e ilaçeve dhe aparaturave.

Gjeorgjina Kuli: “Po bëjmë një pjesë të prokurimeve, të cilat duhet të ishin bërë që në periudhën Mars-Prill të vitit 2008. Kemi frikë se mos nuk do të arrijmë t’i realizojmë dot deri në fund të Tetorit sepse periudha është shumë e shkurtër. Bëhet fjalë për medikamente, për preparate citostatike, bëhet fjalë për aparatura të kardiologjisë siç janë pacemaker-at, dmth, për intervenime të urgjencës. Në do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të mos digjen fondet”.

Përsa i përket çështjes së stoqeve me medikamente Kuli thotë se në shumicën e rasteve ato janë ilaçe që janë pak të përdorshme në spitale.

Këto deklarata drejtoresha e QSUT-së i bëri gjatë një konference për shtyp pas një takimi që ajo zhvilloi me drejtoreshën për shëndetësinë në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Në këtë konferencë Kuli shpjegoi gjithashtu se ajo ka konstatuar parregullsi edhe me emërimet mjaft drejtuesve në QSUT, duke sqaruar se një pjesë e kësaj kategorie është liruar nga detyra./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami