Gjermania po shton masat e sigurisë përpara nisjes së Kampionatit Evropian më 14 qershor për të neutralizuar kërcënimet e mundshme nga terroristët, huliganët, individët e dhunshëm dhe sulmet kibernetike.

Deklarata u bë nga Ministrja e Brendshme Nancy Faeser që shtoi se po rritet numri i agjentëve, të cilët do të jenë në terren gjatë zhvillimit të eventit.

Nancy Faeser, Ministre e Brendshme e Gjermanisë: Jemi të angazhuar që t’i bëjmë ballë çdo kërcënimi të mundshëm. Policia do të ketë një prezencë të fortë kudo ku një numër i madh njerëzish janë në lëvizje. Ky do të jetë një angazhim i madh për forcat e policisë së shtetit dhe ato federale , por e konsiderojmë si vendimtar për turneun. E dimë se Shteti Islamik i Provincës Khorasan përbën kërcënimin më të madh terrorist në Gjermani. Situata e Sigurisë në vend është e tensionuar. Po bëjmë çdo gjë që është e mundur që të dallojmë dhe të parandalojmë rreziqet.

Fezer tha se Gjermania po pret me padurim ardhjen e miliona tifozëve që duan të festojnë në këtë ‘festival të futbollit evropian”, që nis më 14 qershor në Mynih të Gjermanisë.

Policia gjermane ka gati një plan pesë-pikësh që synon të ofrojë sigurinë, që agjentët të mund të përballen me çfarëdolloj rreziku gjatë zhvillimit të kampionatit europian në muajin e ardhshëm.

Në stadium priten 2.7 milionë tifozë, ndërsa në fan-zona në 10 qytetet pritëse rreth 12 milionë të tjerë.

22 mijë punonjës të policisë federale do të përqendrohen në kufij, stadiume, sheshe, aeroporte, stacione treni dhe zona të tjera të frekuentuara.

Klan News