Një prej kompanive më të vjetra të Hollywood, Paramount Global, ka pranuar të shkrihet me ndërmarrjen e pavarur filmike, Skydance Media.

Sipas marrëveshjes, Shari Redstone do të shesë aksionet e familjes së saj përmes një transaksioni  kompleks që do të bëjë që kompania të arrijë vlerën 28 miliardë dollarë.

Ky është fundi i një epoke për familjen Redstone pasi i ndjeri Sumner Redstone transformoi një rrjet kinemash “drive-in” në një perandori mediatike. Veç Paramount, kompania përfshin rrjetet televizive CBS, Comedy Central, Nickelodeon dhe MTV.

Marrvëeshja parashikon që Skydance do të investojë 8 miliardë dollarë te Paramount duke përfshirë edhe pagesën prej 2.4 miliardë dollarësh për National Amusements që kontrollon korporatën. Kjo e fundit ka vetëm 10% të aksioneve, por zotëron thuajse 80% të të drejtave të votimit.

Paramount është shprehur se marrëveshja mund të mbyllet verën e vitit të ardhshëm. 

Kompania filmike ka prodhuar filma hit si “Godfather”, “Star Trek” dhe “Mission: Impossible”. Përgjatë dekadës së fundit është përballur me vëështirësi pasi aksionet kanë rënë me më shumë se 75% në 5 vjet./tvklan.al