Gjykata e Faktit në Durrës vendosi edhe sot lënien në fuqi të vendimit të masës së sigurisë “arrest me burg pa afat” të dhënë që në 24 prill për Mihal Delijorgjin. Në këtë mënyrë bosi i tregëtisë së hekurit do të vazhdojë të qëndrojë në qeli pasi trupi gjykues i kryesuar nga Faslli Ceka ka hedhur poshtë kërkesat e avokatëve për hetim në gjendje të lirë për klientin Delijorgji. Gjatë seancës kryeprokurori i Durrësit Ferdinand Elezi theksoi se dyshimet janë të bazuara në prova ndaj i pandehuri Delijorgji duhet të qëndrojë në burg pasi akuzohet për kontrabandë dhe falsifikim të vulave zyrtare. Nga ana tjetër pala mbrojtëse e përbërë nga avokatët Artan Hajdari dhe Maks Haxhia deklaruan gjatë seancës se autoriteti doganor ka tejkaluar kompetencat teksa kanë kryer kallëzim penal në prokurori për pronarin e subjektit “Përparimi” Sh.A. Sipas avokatëve, drejtori e doganave duhej të kishte ndërmarrë më parë masa administrative dhe jo penale. Një tjetër pretendim i ngritur nga pala mbrojtëse është se Delijorgji i lirë nuk përbën rrezik, madje ai derdh në arkën e shtetit 3 milionë dollarë në vit duke qenë një ndër biznesmenët më korrekt. /tvklan.al