Tremujori i parë i vitit e ngriti nivelin e pagës mesatare për një të punësuar në masën 73.641 lekë, me një rritje prej 13.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht kësaj tendence, Instituti i Statistikave raporton se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, të punësuarit në tre muajt e parë të vitit u paguan 2% më pak.

Por kush paguhet më shumë në vendin tonë?

Sipas INSTAT, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë aktivitetet financiare të sigurimit, informacioni dhe komunikacioni.

Gjithsesi, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2024 rritjen më të madhe prej 15,3 % e ka grup-aktiviteti i administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti informacioni dhe komunikacioni prej 6,9 %.

Nëse do të krahasojmë pagën mesatare mes sektorit privat dhe atij shtetëror vihet re se paga në sektorin privat është mesatarisht 23.7% më e ulët se ajo në shtet, dhe se krahasuar me një vit më parë rritja është 12.7% nga 16% që rezulton për sektorin shtetëror.

Tv Klan