Që prej janarit të këtij viti trendi i kredive me probleme pësoi një rritje të lehtë në muajin prill, duke arritur në 4.82% nga 4.64% që ishte në muajin mars. Banka e Shqipërisë bën të ditur se shkak i kësaj situate raportohet të jetë rritja e normave të interesit për kreditë në monedhën europiane, portofoli i të cilave përllogaritet në 37.6 miliardë lekë.

Banka Qendrore thotë se mos shlyerja në kohë e kësteve të kredive është vënë re më së shumti tek individët dhe kryesisht në kategorinë e kredisë për blerje banese, sinjalet e të cilës nisën të shfaqeshin që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Përgjatë kësaj periudhe raporti i kredive me probleme për blerje banese u rrit në 3.2%, nga rreth 2% në gjysmën e parë të vitit 2023.

Banka e Shqipërisë vlerëson se niveli i kredive me probleme po mbahet në nivele të ulëta falë forcimit të monedhës kombëtare në raport me euron, zhvendosja e kredive në euro në monedhën kombëtare, si dhe interesat më të lira të kredive në lekë në raport me ato në euro.

Tv Klan