Gjyqësori shqiptar ka bërë më shumë hapa para se vitet e kaluara, megjithatë pika e tij e dobët mbeten ndikimet e padrejta në vendimet që merr. Ky është një nga konkluzionet që ka nxjerrë organizata e juristëve amerikanë për iniciativën ligjore për vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore ABA-CEE-i. Ajo i ka përmbledhur konkluzionet duke vlerësuar sipas nivelit pozitiv-negativ apo asnjanës 30 faktorë që lehtësojnë zhvillimin e një gjyqësori të përgjegjshëm efektiv dhe të pavarur.

Studimi i quajtur ‘indeksi i reformës gjyqësore’ është prezantuar këto ditë dhe u prezantua në hotel “Sheraton” nga përfaqësues të ABA-CEEL-it në Shqipëri dhe nga Washington-i. Pozitivë janë vlerësuar 5 faktorë, siç janë: procesi i emërimit dhe përzgjedhjes së gjyqtarëve, sistemi i gjykimit në apel, kohëqëndrimi në detyrë etj.; 8 faktorë rezultojnë negativë dhe ndër ta renditen: ndikimet e padrejta në vendimet e gjyqësorit, siguria e gjyqtarëve, kodi i etikës, aksesi i medias dhe publikut në seancat gjyqësore etj.; 17 faktorët e tjerë kanë rezultuar asnjanës, gjë që do të thotë se nuk kanë pasur ndryshim nga viti 2001 kur është botuar indeksi i parë për reformën e gjyqësorit në Shqipëri.

I pyetur lidhur me rrëzimin e propozimit të presidentit Moisiu nga ana e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për emërimin në Gjykatën Kushtetuese të një gjyqtareje, një nga përfaqësuesit e ABA-CEEL-it u përgjigj se në çdo proces emërimi të gjyqtarëve nuk duhet të ketë ndërhyrje nga pushtetet e tjerë.

“ Në procesin e emërimit dhe të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve duhet të ketë një rol të balancuar dhe të mirekuilibruar të legjislativit dhe gjyqësorit” /tvklan.al