Gjykata e Tiranës ka vendosur që gazeta “Koha Jonë” të paguajë 2 milionë lek të reja dëmshpërblim për Fatos Nanon dhe stafin e tij.

“Detyrimin e palës së paditur, shoqëria “Koha Sh.P.K.” me ortak të vetëm zotin Nikollë Lesi, gazeta “Koha Jonë” me botues Nikollë Lesin të paguhen në favor të paditasve Fatos Nano, Agim Isaku e Ylli Manjani shumën 2 milionë lek si shpërblim për cënimin e nderit dhe të personalitetit të tyre nga pala e paditur.”

Pas vendimit të dhënë botuesi i gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi e ka cilësuar këtë vendim si politik dhe është shprehur se do të kërkojë shqyrtim më të drejtë në Gjykatën e Apelit.

Nikollë Lesi: “Nderi i kryeministrit Nano është vendosur me 20 milionë lek të vjetra në këto momente. Unë dua të denoncoj këtë vendim të Gjykatës që është një vendim krejtësisht politik pasi siç thashë është marrë pa lajmëruar palën e paditur që të jetë prezent në këtë dhënie vendimi. Është një vendim krejtësisht politik është një vendim në zbatim të fjalës së kryeministrit dhe kryetarit të partisë socialiste zotit Nano mbajtur para disa ditësh në konferencën e Lezhës. Përfundimisht, them që me këtë vendim trupi gjykues ka denoncuar vetveten pasi edhe gjatë procesit të përshpejtuar gjyqësor ky trup gjykues ka rrëzuar disa kërkesa të palës time dhe të miat personalisht ku ne kemi kërkuar që të merrej një komision ekspertësh nga fusha e gazetarisë që të vlerësont shkrimin.” /tvklan.al