Ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë është edhe një shenjë për titullin kampion. Këtë mendim ka kapiteni i bardhë e bluve Muka ndërsa skuadra e tij është 1 pikë larg kundërshtarit kryesor në kampionat.

Devi Muka: “Ne jemi të motivuar sepse është një rival i  joni direkt dhe do të thosha që në qoftë se do të arrijmë të kualifikohemi nesër mendoj që dhe kampionati ka për tu zgjidhur shumë shpejt.”

Megjithatë gjithçka është e mundur pasi sfida e parë në “Loro Boriçi” u mbyll pa gola dhe për sulmuesin shkodran Sinani Vllaznia i ka shanset për të arritur objektivat e saj.

Vioresin Sinani: “Unë besoj se do të jetë një plus nga ana psikologjike për secilën skuadër që do të kualifikohet por unë besoj që ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra, kjo është ndeshje kupe ajo është ndeshje kampionati, por unë besoj që Vllanzia i ka mundësitë që të marrë maksimumin nga ky sezon.”

Ndeshja që do të vendosë secili ekip do të shkojë në finalen e 6 majit do të luhet të mërkurën në ora 18:30 në stadiumin “Qemal Stafa”. Në gjysmëfinalen tjetër do të luhet në Peqin ku Flamurtari do të ketë përballë Shkumbinin që e mundi ndeshjen e parë 1 – 0. Të dy këto ndeshje do të gjykohen nga arbitra të huaj. Në Tiranë do të jetë slloveni Darko Ceferin ndërsa në Peqin italiani Gabriele Gava./tvklan.al

Gazetar Erion Todhe