Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sekretari i përgjithshëm i PS ka kundërshtuar deklaratat e Berishës, në lidhje me aktet normative, për përfshirjen e policisë në zgjedhje.

Gramoz Ruçi:- “Lidershipi politik i Partisë Demokratike, i gjetur në kushtet e mungesës, së mbështetjes së votuesve, me këto veprime kërkon të gjejë alibi për votën e munguar edhe në këto zgjedhje të Tetorit 2003. Ky akt normativ, që hyn në fuqi menjëherë, rregullon mundësitë e policisë së shtetit, për të mbuluar konform detyrimit ligjor, të gjitha qendrat e votimit, në republikën e Shqipërisë, me shërbim policor, sipas kërkesave të kodit elektoral. Partia Demokratike, nëse është vërtetë e interesuar, i ka të gjitha mundësitë, që nëpërmjet përfaqësuesve të saj në komisionin parlamentar të Rendit, t’i sqarojë zyrtarisht dhe përfundimisht këto të dhëna zyrtare. Në të kundërt, lidershipi i saj politik është kundër plotësimit të detyrimit kushtetues, nga policia e shtetit dhe si përherë kërkon ta vërë këtë shërbim, nën presion politik”.

Sipas Gramoz Ruçit, ndryshimet në ligj ishin të domosdoshme. Shqetësimi i drejtorisë së policisë së shtetit, për numrin e vogël të efektivëve blu në ruajtjen e qendrave të votimit, sipas Ruçit është paraqitur disa herë pranë parlamentit dhe presidentit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj