Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Greva e furgonëve taksi e iniciuar prej 8 ditësh në qytetin e Elbasanit, duket se ka marrë një përgjigje. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Qarkullimit Rrugor ka udhëtuar drejt Elbasanit. Në një takim që ka pasur me kryebashkiakun e këtij qyteti, ai pohoi se problemet janë të zgjidhshme. Taksitë sipas tij nuk duhet të pengohen të futen në Tiranë dhe policët që kanë vendosur gjoba duhet t’i paguajnë vetë ato.

Edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve ka kërkuar vetëm zbatimin e ligjit, i cili sipas tij nuk ka të drejtë të ndalojë shërbimin taksi. Por në qytetin e Elbasanit kanë udhëtuar edhe furgonë të tjerë taksi nga Tirana, Korça, Devolli, Librazhdi, Pogradeci, Peqini etj, për t’u solidarizuar me protestën e drejtuesve të furgonëve taksi të Elbasanit.

Grevën e kanë mbështetur edhe deputetët e Elbasanit. Në emër të 7 deputetëve të këtij qyteti, deputeti Durim Hushi midis të tjerave theksoi, se greva është e ligjshme dhe premtoi se ky problem do të ngrihet edhe në parlament. Por shoferët protestues të furgonëve taksi duket se nuk i besojnë fjalëve. Ata kërkojnë demonstrim në kryeqytet./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti