Minatorët e Memaliajt përsëri do të hidhen në grevë. Ka qënë ky vendimi i Sindikatës së Minierës duke parë se nuk është realizuar asnjë prej premtimeve të firmosura mes tyre dhe Qeverisë Shqiptare pas përfundimit të grevës së Qershorit të këtij viti. Komisioni i grevës i ka dërguar një peticion Ministrit të Ekonomisë dhe Privatizimit, Ylli Bufi, ku kërkohet hapja e minierës dhe dhënia e pagave punëtore 100% nga muaji Maj e në vazhdim.

Kështu greva e punëtorëve do të vazhdojë kësaj here me mbylljen e kolonës së pusit duke i kërkuar presidentit dhe kryeministrit të vënë përpara përgjegjësisë qeveritarët që firmosën aktmarrëveshjen për daljen nga greva në qershor të këtij viti. Nëse nuk kthehet asnjë përgjigje për kërkesat e minatorëve atëherë ata kërcënojnë se do t’i rikthehen sërish formës ekstreme, pra grevës së nisur disa muaj më parë./tvklan.al