E paralajmëruar se do të mbahej, seanca plenare e paradites ka nisur me dy orë vonesë pavarësisht protestave të simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbështetje të 10 deputetëve grevistë, që ndodhen prej 4 ditësh në ambientet e brendshme të sallës së kuvendit. Por hyrja në Kuvend ka nisur me të para debate të mbërritura nga deputetët mbështetës të grevistëve, të cilat kërkuan mbylljen e seancës si dhe ftuan Kuvendin të reflektoj në gjetjen e një konsensusi për kodin zgjedhor.

“Që në fillim që duhet ta kishit mbyllur këtë seancë të paktën për respekt të këtyre kolegëve, e opinioni publik le ta marrë vesh se këto nuk janë për t’u dhunuar institucionin, po këto janë për të respektuar votën e lirë, nuk thyhen karrige siç kanë pretenduar dhe besuar disa kolegë. Prandaj zonja  kryetare mos të diskutojmë për turizmin, po mos të tallemi me këto njerëz se kanë 4 ditë këtu. Është turpi juaj dhe turpi jonë”.

Luan Memushi: “Unë desha t’i propozoj kësaj seance ndërprerjen e këtij rendi të ditës që sapo u lexua, sepse nuk jemi në një ditë normale. I bëj thirrje dhe njëherë zërit të arsyes të mos bëhemi të mos bëhemi kobik, të mos bëjmë komedi, të tregohemi serioz, të tregohemi dinjitoz. Kjo është një shfaqje e shëmtuar për shqiptarët dhe për komunitetin ndërkombëtarë. Shokët tanë grevistë këtu përballë dhe ne bëjmë sikur nuk i shikojmë. A nuk janë këta bashkëvuajtësit tanë nga dita e parë e demokracisë, a nuk janë këta themeluesit e FRESH-it dhe të organizmave të tjera që sollën demokracinë në këtë vend”.

“Të jeni të bindur se ne do të vdesim këtu në këtë sallë, të jeni të bindur se ne do të vdesim në këtë vend dhe votën do të mbrojmë, nuk bëjmë pazare me asnjë njeri, vetëm do mbrojmë vlerat demokratike. Nëse ju ka ngel ndonjë gramë moral politike , është turp për ju të qëndroni në këtë sallë. Më vjen keq edhe për miqtë e mi të PD-së që kam shku me to deri me dhonë jetën, me sakrifiku, pra dhe deputet të vjetër që sot nuk janë pjesë e këtij kuvendi edhe për zonjën kryetare që ka marrë pjesë në shumë evenimente të rrezikshme në ’97-ën”.

Spartak Ngjela: “E shikoni ç’bëhet, e vetmja opozitë në botë që tradhton idealet e popullit vetë, shikojeni turp. Të bashkohet me mazhorancën për të manipuluar votat bashkë. Ç’është kjo parti e madhe dhe parti e vogël në funksion të zgjedhjeve, zgjedhjet nuk kanë ardhur akoma. Problemi qëndron që do t’i thërrasim arsyes, të bëhet një moment konsensual. Sakrificë e këtyre njerëzve mendoj që do ta vjel, populli duhet të.. shoqëria duhet të sensibilizohet dhe përfundimisht t’i japim fund njëherë e mirë një çështje të rëndë në historinë e demokracisë shqiptare, e cila ende nuk është demokraci sepse s’ka vota”.

Dritan Prifti: “Nuk është absolutisht normale mënyra se si trajtohet kjo seancë. Dje në dark unë kam qenë i pranishëm kur forca të policisë të ndërhyrjes shpejt të gardës së republikës kanë goditur me shkopa gome në befasi të plotë gra dhe fëmijë të cilët në 12:00 të natës ishin akoma jashtë parlamentit për të mbështetur misionin e madh të shokëve tanë që janë futur në grevë këtu. Agron Koliqi, ish-bodigard i Sali Berishës në 9 dhjetor i përgjithshëm i policisë shtetit, ka qenë në krye të operacionit. Nikoll Vatnikaj, kryetar i një nga rajonet e policisë këtu, kanë marrë pjesë vetë në operacion, kanë arrestuar dhe kanë marrë në polici një djalë që quhet Kujtim Andrea, sepse ai vazhdon të qëndrojë atje ku ishte edhe në kohën e grushtit të shtetit në kohën e ’98-ës në anën e duhur, në anën e duhur na qëndrojnë njerëzit që duan të mbrojnë shenjtërinë e këtij vendi”.

Pas debateve, kryetarja e Kuvendit ka ftuar deputetët që të votojnë 4 projektligje të cilat morën dhe votat e mazhorancës dhe ato të socialistëve. Në mbyllje të seancës, Topalli ka lexuar dhe urdhrin e mbërritur nga organi i akuzës i cili ka nisur një ndjekje penale ndaj deputetit socialist Andis Harasani, pas incidentit të ndodhur javë më parë me gardën e kuvendit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro