Shkon në 6 numri i vatrave me influencën aviare

Zgjerohet harta e qarqeve të prekur me gripin e shpendëve. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, vatra e re e influencës aviare është identifikuar në fshatin Aliban, në një shpend ujor.

Ermira Gjeci: Në 24 orët e fundit kemi pasur një rast të ri të konfirmuar nga ISUV në qarkun Vlorë, fshati Aliban. AKVMB vazhdon kontrollet në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e vendit.

Sipas  autoriteteve, deri tani nuk ka asnjë stabiliment prodhim i mishi të infektuar.

Ermira Gjeci: Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë territorit.Konsumatori shqiptar është e rëndësishme të ndihet i sigurt, se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të kontrolluara.

Vatrat e infektuara me influencën aviare janë në Divjakë, Devoll, Korçë, Durrës, Dibër dhe Vlorë.

Një vit më parë, në Shqipëri u evidentuan 25 vatra të gripit të shpendëve. Sipas specialistëve, konsumimi i produkteve nuk përbën rrezik për konsumatorin, pasi gatimi bëhet në temperatura të larta.

Tv Klan