Pas 2 vite e 7 muajsh, Ministria e Brendshme do të ketë një drejtues të ri. Këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka vendosur të shkarkojë nga detyra Ministrin Bledi Çuçi. Njoftimin kreu i qeverisë e bëri në rrjetet sociale, ku zbuloi edhe emrin e pasuesit të Çuçit, i cili do të jetë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Rama thotë se propozimet do ia dërgojë ditën e hënë Presidentit të Republikës Bajram Begaj.

“Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim.”

Vetë Çuçi në një reagim në rrjetet sociale falenderoi Kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që i dha gjatë ushtrimit të detyrës dhe tha se ka shërbyer me integritet.

“Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm. Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik,  emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues. Suksese Taulantit në sfidën e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit”.

Bledi Çuçi u emërua si Ministër i Brendshëm në Dhjetor të vitit 2020. Ai u konfirmua edhe pas disa muajsh në këtë post në mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Ndërsa Taulant Balla nuk ka mbajtur ndonjëherë ndonjë portofol ministror. Ai është deputet i Partisë Socialiste prej vitit 2005 ndërsa në 2021 mori edhe detyrën e kreut të grupit parlamentar. 

Tv Klan