Bashkia e Tiranës ishte ndalesa e radhës e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare që po zhvillon në vendin tonë.

Kryebashkiaku Edi Rama ka pritur shefin e qeverisë së Kosovës në një atmosferë të veçantë krijuar nga banda frymore e bashkisë.

Rama e cilësoi vizitën e kryeministrit Thaçi në bashki si më të veçantën që ishte realizuar ndonjëherë në këtë institucion, ndërkaq në shenjë nderimi për kryetarin e qeverisë së Kosovës Rama i dhuroi atij çelësin e qytetit.

Edi Rama: “Ishte një privilegj për mua që historia e deshi që të isha unë së bashku me ekipin e bashkisë që të prisnim qeverinë e parë të pavarësisë dhe komandantin e djeshëm të luftës çlirimtare dhe kryeministrin e sotëm të Kosovës, të cilit pata nderin në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës t’i shpreh mirëseardhjen dhe t’i dhuroj çelësin e qytetit”.

Kryeministri i Kosovës në fjalën e tij ka vlerësuar punën dhe ndryshimet që kryebashkiaku Rama ka realizuar në kryeqytet duke e cilësuar atë si liderin e ardhshëm politik të vendit.

Hashim Thaçi: “Të jam mirënjohës në emër të qeverisë së republikës së Kosovës. Unë dua të besoj se ashtu siç e keni ndryshuar Tiranën do ta ndryshoni për të mirë të gjithë Shqipërinë. Ishte një kënaqësi të bashkëbisedonim me liderin e ardhshëm të Shqipërisë, natyrisht njeriun e ndryshimeve aktuale dhe model për ndryshimin në të gjithë rajonin”.

Kreu i qeverisë së Kosovës që prej së enjtes po realizon në Shqipëri të parën vizitë zyrtare që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës./tvklan.al