Një tjetër pistë u shtohet hetimeve për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.

Ish-drejtori i kompanisë shtetërore, Meico, Ylli Pinari, është marrë në pyetje për trafik armësh në një kohë kur në Uashington komisioni i kongresit amerikan për mbikëqyrjen dhe reformat qeveritare zhvillonte një seancë publike për kontratat që Pentagoni kishte nënshkruar me kompaninë AEY të Efraim Diveroli.

Emri i tij u përmend edhe gjatë pyetësorit të kongresit ku kryetari i tij, zoti Uollksmen, tha se Pinari po mbahet nën vëzhgim nga autoritete amerikane që prej vitit 2005.

Ish-zyrtari është marrë në pyetje për disa orë nga prokurori Sokol Stojani në ambientet e paraburgimit në cilësinë e personit që kanë dijeni mbi rrethanat në të cilat ka operuar në Shqipëri firma amerikane AEY, e kontraktuar nga Pentagoni për blerje armësh.

Paralelisht prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, deklaroi të martën se u kishte kërkuar autoriteteve amerikane që presidenti i AEY-së, Diverol, të pyetej dhe për trafik armësh për llogari të organit shqiptar të akuzës.

Ky fakt e zhvendos hetimin ne atë pistë ku deri më tani askush nga prokuroria e përgjithshme nuk ishte prononcuar, atë të trafikut të armëve.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se hetimet në këtë pistë janë në fazën fillestare, por deklaratat e Ylli Pinarit dhe të Efraim Diverolit pritet të hedhin dritë mbi këtë çështje./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani