Lajme Arkiva 2003

Mes kaosit dhe rrëmujës së ndërtimeve në plazhin e qytetit të Durrësit, kohët e fundit është ngritur një prej komplekseve turistike më të bukura në vend. Ish hoteli “Adriatik”, i njohur nga të gjithë frekuentuesit e hershëm të këtij plazhi është kthyer tani në një ambient luksoz, komod, i cili fare mirë të kujton hotelet e famshëm në plazhet e Turqisë apo edhe ne vende të tjera turistike të botës.

Falë një investimi nga Dudaj Grup hoteli “Adriatik” gëzon tashmë 5 yje dhe ka në dispozicion të pushuesve 69 dhoma, prej të cilave 20 dhoma speciale dhe 6 suita luksoze. Ambienti i brendshëm i hotelit i konceptuar në hapësira tepër të mëdha ofron 2 restorante në kuzhinë ndërkombëtare, një sallë banketesh, dy bare të brendshëm dhe mjaft ambiente çlodhëse.

Por hoteli është konceptuar jo vetëm për pushuesit që frekuentojnë plazhin e Durrësit por edhe për të gjithë biznesmenët të cilët mund të gjejnë aty salla konferencash, qendra biznesi, trajtime vip, etj.  Një hotel që trajtohet me mjaft kujdes nga administratori gjerman i cili ka një eksperiencë 30 vjeçare pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Spanjë.

“Ky hotel ngrihet pikërisht në qendër të plazhit të Durrësit. Është një plazh tepër i përfolur nëpër media. Në synojmë që të krijojmë një oazë qetësie për të gjithë ata që frekuentojnë ambientet tona me çmime tepër konkurruese, por është strategjia e menaxhimit të këtij hoteli dhe infrastruktura e ndërtimit të tij sjellin mbi të gjitha një ambient të dedikuar biznesi, pra jo vetëm pushuesve”.

Ambientet e jashtme të hotel “Adriatik” janë pikërisht ato që krijojnë edhe diferencën më të madhe me ambientet e tjera përreth. Një pishinë gjigande e rrethuar nga palmat ofron një lloj argëtimi për të gjithë ata që nuk preferojnë detin. Ajo ofrohet nga një bar në ujë, lojëra ujore dhe pishinë për fëmijë.

Ndërsa plazhi është konceptuar në një mënyrë që plazhi të ketë hapësirë sa më të madhe përreth tyre, me bare, restorante në tarracë fusha tenisi etj. Ky hotel ishte dhe një shembull se si mund të ndërtohej turizmi në vend duke hequr dorë nga kioskat apo ndërtimet pa kriter në bregdetin shqiptar./tvklan.al