Frika nga rënia në recesion e ekonomisë më të madhe të botës, asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar trazira në financat globale.

Rënien më të fortë dhe të papritur këtë fillimjave e patën kriptomonedhat. Pas një vlerësimi të vazhdueshëm gati 7-mujor, monedha kryesore virtuale Bitcoin humbi gati 27% të vlerës, krahasuar me kulmin e arritur në fund të Korrikut, duke rënë në kuotat e 51 mijë dollarëve për njësi.

Investitorët në Bitcoin përllogaritet që vetëm gjatë këtij 24-orëshi të kenë humbur në total rreth 400 miliardë dollarë.

Rritjen e Bitcoinit e nxiti perspektiva e një fitoreje të mundshme të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Trump që njihet si mbështetës i Bitcoinit dhe monedhave virtuale tha në një tubim në fund të muajit të kaluar se vlera e kësaj monedhe do të arrijë qiellin dhe se synonte t’i bënte Shtetet e Bashkuara, kryeqendrën botërore të kriptokapitalit botëror.

Rritja me 0.2% e nivelit të papunësisë në Shtetet e Bashkuara, në 4.3% në Korrik bëri që edhe bursat botërore të shënonin një rënie nga rreth 2% nëpër Europë deri në 12% në Japoni e më tej në Azi.

Tv Klan