Familjet Miruku dhe Prenga kanë ceremoni të dyfishta mortore. Ato kanë humbur nga dy anëtarë të familjeve të tyre në tragjedinë e Vlorës. Besmira Miruku, 16-vjeçare, kërkonte të udhëtonte drejt Italisë për t’u bashkuar me të shoqin dhe ishte e shoqëruar nga i vjehrri, Resimi.
Ndërsa Liza Prenga dhe kunati i saj, Arbeni, ishin kthyer në Shqipëri për të asistuar në një ceremoni mortore të të afërmeve të tyre në Shkodër. Në Itali, Lizën e prisnin fëmijët e saj.

“Liza ka tre fëmijë ande edhe Beni ka qenë me familjen e vet, me motrat dhe vëllezrit dhe nga fatkeqëisa që iu ka ndodhur detyrohen të kthehen ande, jashtë kushteve, se siç e dini, edhe shtetit nuk po merr asnjë masë për emigrantët.”

‘’ Edhe ju i filmuat, të dy kufomat janë të djegura me benzinë dhe sipas informacioneve që kemi, djegia është bërë si rezultat i tentativave të skafeve, të drejtuesve të skafeve për të djegur drogën që kanë pasur brenda, për të eliminuar gjurmët e krimit, i cili është një krim i dyfishtë.”

“Janë 4 jetë njerëzish, që në mënyrë të pafajshme, d.m.th. i dorëzohen valëve të detit, po kështu, po kështu, i dorëzohen edhe mosimpenjimit të strukturave qendrore shtetërore. Momentalisht marrim pjesë në dhimbjen e këtyre familjeve, që kanë pësuar humbjet.”

Historitë janë të ndryshme, por edhe përngjajnë, pa dokumente, pas tentativave të shumta, kanë kërkuar një rrugë sa më të shpejtë për t’iu drejtuar Italisë, për një jetë më të mirë./tvklan.al