Hyn në fuqi ligji për prodhimin e armëve në Shqipëri dhe industrinë ushtarake. Me këtë rast ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, shoqëruar edhe nga zv/ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola vizituan uzinën e Mjekësit në Elbasan, për të çelur një kapitull të ri të kësaj industrie.

“Paketa ligjore adreson dhe një problematikë shumë të vjetër dhe e mbetur e pa adresuara ndër vite që është, shlyerja e detyrimeve të papaguara ndaj ish punonjësve, punonjëseve aktualë, dhe të gjithë njerëzve që kanë kontribuar ndër vite në këto uzina dhe industri shumë të rëndësishme. Sot është momenti i një pikënisjeje të re për këtë industri”.

Me hyrjen në fuqi të ligjit për industrinë ushtarake, bëhet i mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare me të gjitha kapacitetet e nevojshme për prodhimin e armëve dhe për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar të strategjisë ushtarake.

Nëpërmjet këtij ligji, Shqipëria do të ketë një kompani shtetërore, e cila do të quhet “KAYO” sh.a, që do të jetë përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, të municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Ligji përcakton se kjo shoqëri shtetërore e prodhimit të armëve ka bashkëpunim me Forcat e Armatosura, me qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre ushtarake, nëpërmjet sigurimit të armëve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake për Forcat e Armatosura dhe të realizimit të fitimit ekonomik.

Klan News