Ishte i nxehti anormal i Korrikut dhe Gushtit si dhe problemet gjeologjike ato që ndikuan në shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve të kampit të emigrantëve në Gjadër.

Është ministri i Brendshëm italian, Mateo Piantedosi që gjatë një debati në parlament për këtë çështje që ka dhënë detaje.

“Zbatimi i projektit u vonua me disa javë për shkak të problemeve teknike të lidhura me kushtet gjeologjike të terrenit që kërkonin aktivitete verifikimi dhe konsolidimi, si dhe nga vala e zgjatur e të nxehtit anormal që çoi në një ngadalësim të nevojshëm të punimeve për mbrojtjen e shëndetin e vetë njerëzve të punësuar në vend”, tha ai.

Ministri i Brendshëm italian shpjegoi se kostoja e përgjithshme e projektit, e shpërndarë në një periudhë pesëvjeçare, është afërsisht 160 milionë euro në vit.

Ky investim sipas tij do të ulë ndjeshëm kostot e menaxhimit të pritjes së emigrantëve. Kampi i Gjadrit pritet të nisë nga puna në 1 Shtator.

Fillimisht do të jetë një numër rreth 500 emigrantë të shpëtuar në ujërat e Mesdheut që do të mbahen aty në pritje të shqyrtimit të azilit.

Të gjitha shpenzimet për administrimin e qendrave janë marrë përsipër nga pala italiane.

Tv Klan