I pandehuri për vrasjen e Dorian Benës, të riut që sipas versionit të policisë u qëllua për vdekje sepse puthi të dashurën, e ka pranuar krimin në sallën e gjyqit. Arben Duka kërkoi gjykim të shkurtuar që në seancën e parë të çështjes duke i dhënë mundësi trupit gjykues të japë vendimin në seancën e ardhshme.

22-vjeçari Dorian Bena u qëllua për vdekje në një lokal në fshatin Ibë të Tiranës. Ai festonte me të dashurën dhe një grup shokësh ditëlindjen e njërit prej tyre. Sipas versionit të policisë dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes i është afruar mjaft i nervozuar çiftit kur i ka parë duke u puthur dhe brenda pak momentesh ai ka qëlluar me pistoletë të riun.

Për vdekjen e të riut, nëna e tij e paralizuar prej disa vitesh mësoi nëpërmjet televizorit.

Ish-drejtuesi i fondacionit Xhaferri pretendon se 500.000.000 Dollarë me të cilat nisi veprimtarinë e këtij fondacioni pas viteve ’90 i kishte trashëgim nga gjyshi i tij. Gjatë seancës Rrapush Xhaferi tha se gjyshi i kishte lënë 20 kuintal flori të cilat ai i konvertoi në kartëmonedha 1000 lekëshe që peshonin gjithsej 24 kuintal.

Këtë deklarim Xhaferri i cili gjykohet bashkë me të birin Asllanin e bëri pasi u pyet nga kryetari i seancës Sokol Çomo mbi burimet financiare të tij. I akuzuari për mashtrimin kreditorëve për shumën prej 12 miliardë lekësh të vjetra, deklaroi në seancën e kaluar se qëllimi i fondacionit të tij ishin veprimtaritë e bamirësisë ndërsa paratë ua jepte kreditorëve nga arka e tij.

Ndërsa avokati mbrojtës tha se objektet e këtij institucioni janë shitur pas mbylljes së veprimtarisë me shuma qesharake.

“Një apartament banimi në Lezhë është shitur 6000.000 Lekë, një shtëpi banimi në Tiranë 6.200.000 Lekë, një apartament banimi në Pukë 350.000 pra vlerat janë krejt minimale në krahasim me vlerën e tyre reale”.

I Pandehuri Sokol Koçiu nuk u lejua të marrë pjesë në seancën ku pritej të dëgjoheshin bisedat e regjistruara mes Vehbi Hysit dhe Alfred Nanaj. Familjarët e Koçiut kërkuan që mungesë të tij ai të përfaqësohej nga avokati i tij Arben Qeleshi.

Ky i fundit u largua pa çaste më vonë pasi trupi gjykues nuk e pranoi kërkesën e tij që Koçiu të hynte në sallë. I pandehuri ka pritur gjatë kësaj kohe në dhomën e izolimit në Gjykatën e Tiranës e cila e shtyu seancën në për ditën e mërkurë.

Në seancën e kaluar togat e zeza vendosën ta përjashtojnë të pandehurin e dosjes “Kokaina” nga salla pasi theu rregulloren e gjykatës duke replikuar ashpër me gjyqtarët dhe prokurorët./tvklan.al