I nxehti afrikan me temperatura që kaluan 42 gradë Celsius duket se është zhvendosur nga Shqipëria, duke sjellë rënie të vlerave termike që nga kjo e dielë.

Sinoptikanët japin lajme të mira, duke thënë se fillimi i javës do të sjellë një tjetër rënie

Hakil Osmani: Fillimjava sjell një tjetër rënie të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerës 35 apo 36 gradë Celsius. Kemi një rënie me 6 gradë Celsius të temperaturave të ajrit nga dita e premte. Edhe pse kemi këtë rënie të temperaturave të ajrit termometri do të regjistrojë sërish deri në 5 apo 6 gradë më të larta vlerat se sa duhet të jenë në muajin Qershor. Duhet t’i kemi me 30 gradë Celsius, do të jemi në vlerën 35 apo 36 gradë Celsius.

Pavarësisht kësaj rënie qershori parashikohet të mbyllet me vlera termike 5-6 gradë më të larta krahasuar me temperaturat normale të muajit.

Hakil Osmani:  Duke filluar nga pjesa e dytë e javës do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit, duke bërë që pothuajse ditët e fundit e muajit Qershor të mbyllen me vlera rreth 37 apo 38 gradë Celsius dhe mbeten më të ekspozuara nga temperaturat e larta qarqet si Berati, Elbasani, Gjirokastra, kryeqyteti po ashtu do të ketë temperatura të larta deri në 6 gradë më shumë se çfarë duhet të regjistrohet gjatë muajit Qershor. Do të doja të theksoja që temperaturat të cilat jepen janë temperatura të matura në hije. Nëse ne dalim në ambiente të zhveshura sigurisht që do të ndihen akoam edhe më shumë temperaturat e ajrit dhe në moment që kemi prezente edhe lagështirën në ajër atëherë do të ndjejmë një temperaturë që do të jetë mjaft e lartë.

Sipas Meteoalb, Korriku pritet gjithashtu të jetë një muaj i nxehtë. Për shkak të valëve të herëpashershme, temperaturat mund të kalojnë sërish mbi 40 gradë Celsius.

Sinoptikanët thonë se tri ditët e fundit shënuan vlera deri në 12 gradë më shumë se sa vlerat normale dhe ndër shkaqet kryesore janë edhe ndryshimet klimatike, nga të cilat është prekur edhe Shqipëria.

Klan News