Dy ditë para afatit përfundimtar të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për dorëzimin e koalicioneve partiake që do të marrin pjesë në betejën elektorale të 28 Qershorit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se partia që ai drejton nuk do të ketë asnjë bashkëpunim parazgjedhor me Partinë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama.

Këtë qëndrim ai e ka shprehur në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, transmetuar të martën në mbrëmje në Televizionin Klan.

Andi Bejtja: “Zoti Meta meqë jemi tek kjo pikë ka shumë zëra, dmth, zëra që qarkullojnë në ambiente, në lokale, në korridore që ju sot ose nesër do bëni koalicion me Partinë Socialiste paraelektoral, që është afati i fundit. Ka ndonjë të vërtet në këto zëra? Kaq”.

Ilir Meta: “Zotëri, unë nuk i di fare se çfarë thonë zërat nëpër ambientet e kryeqytetit tonë të dashur”.

Sonila Meço: “Nesër është afati i fundit, kështu që…”.

Ilir Meta: “Ne kemi përfunduar marrëveshjen me pesë parti të tjera dhe është depozituar në KQZ koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim, kështu që kjo është një çështje, mendoj, e mbyllur”.

Blendi Fevziu: “…për t’iu bashkuar koalicionit të Partisë Socialiste?”

Ilir Meta: “Nuk ka asnjë lidhje, nuk ka asnjë arsye për shumë arsye, po dhe zoti Rama e ka bërë një arsye të qartë që ai fiton vetëm edhe kjo është e pnevojshme. Përveç arsyeve të tjera që ne kemi dhe pikëpamje të ndryshme.”

Sonila Meço: “Po në qoftë se Rama do deklaronte në moment të fundit që nuk fiton vetëm?”

Ilir Meta: “Po nuk ka lidhje kjo se fiton, se s’fiton”.

Blendi Fevziu: “Kjo do të thotë që ju do të dilni si koalicion më vete, nuk do jeni pjesë e koalicionit që drejton Partia Socialiste?”

Ilir Meta: “Ky është një vendim që është marrë. Treni është nisur drejt 28 Qershorit dhe jam i bindur që nuk do të ngelet në opozitë”.

Deklarata e kreut të LSI-së vjen një ditë pasi Partia Socialiste formalizoi me aleatët e saj, PSD, PDS dhe G99 koalicionin me të cilin do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit./tvklan.al