Për Presidentin Ilir Meta, 25 Prilli do të jetë një referendum ku populli do të ndëshkojë më votë masive qeverinë aktuale, duke mohuar kështu çdo bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama.

“Ndëshkimi do të jetë tepër i rëndë, jam i sigurt me një votë mbarë popullore pasi sikurse e kam thënë dhe më parë unë jam tepër besimplotë se 25 prilli do të jetë një referendum për ringritjen morale, demokratike, ligjore dhe institucionale dhe po kështu edhe europiane dhe ekonomike për vendin tonë dhe për shumicën e familjeve shqiptare që sot vuajnë dhe ndeshen me një varfëri në rritje”.

Nga Shkodra, Presidenti komentoi edhe apelin e përsëritur të ambasadores amerikane për të larguar nga listat zgjedhore personat e inkriminuar.

“Fakti që ne kemi miratuar një ligj për dekriminalizimin është një tregues i qartë i një problemi tepër serioz dhe fenomeni tepër kritik. Se kush i ka promovuar, se kush i merr në mbrojtje, kjo dihet. U bëj thirrje të gjithë forcave politike të distancohen nga persona që kanë pasur probleme me dekriminalizimin dhe të promovojnë sa më shumë figura  të reja, figura me integritet dhe së dyti dua t’i siguroj që populli shqiptar do jetë i qartë për ti ndëshkuar me votë ata që do të përpiqen të marrin direkt apo në mënyrë indirekte persona të tillë thjesht për disa vota më shumë”, tha Meta.

Për akuzat drejtuar tij nga ish kryeministri Fatos Nano në emisionin Opinion,  Meta nuk preferoi të komentonte.

“Nuk kam asnjë koment edhe njëherë tjetër e theksoj për zero ngjarje, për zero akuza dhe për zero, zero”.

Tv Klan