Kryetari I LSI-së Ilir Meta është takuar me minatorë të Bulqizës ku ka diskutuar rreth shqetësimeve që kanë të bëjnë me trajtimin e tyre nga shteti dhe përmirësimin e kushteve në galerinë ku ata punojnë.

Në 800 metra thellësi kreu i LSI-së ka parë nga afër kushtet e punës ku dhe ka premtuar angazhimin e LSI-së për të miratuar sa më shpejt statusin e minatorit që ka të bëjë me uljen e moshës së pensionit dhe heqjen e taksës së sheshtë për pagat e tyre.

Ilir Meta: “Projektligji për statusin e minatorit pavarësisht se u rrëzua  përpara pak muajsh në parlament që ishte një iniciativë e jona së bashku me përfaqësuesit e minatorëve ta realizojmë dhe ta miratojmë patjetër në sesionin e ardhshëm parlamentar.”

Në bisedën me minatorët Meta vuri theksin edhe tek përmbushja e standardeve të sigurisë nga firmat kontraktore. Në mënyrë që sipas tij të mos humben më jetë njerëzish.

Ilir Meta: “Është shumë e rëndësishme që të zbatohen kontratat e gjithë investitorëve duke mbrojtur të drejtat e minatorëve dhe duke respektuar disiplinën dhe sigurinë teknike për të mbrojtur jetën e tyre që të mos kemi më ngjarje tragjike sikurse ka ndodhur për fat të keq.”

Një ditë më parë Meta prezantoi Agim Hysën, Ilir Ballën dhe Luftie Hysën si kandidat për deputet të LSI-së në Bulqizë dhe Klos./tvklan.al