Avionët F-16, F-35, “Black Hawk” dhe dronët “Bayraktar” ‘pushtojnë’ Kuçovën

Shqipëria është tashmë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor në të cilin NATO ka bazën e saj ajrore taktike në qytetin e Kuçovës. Kjo bazë që në periudhën e komunizmit përdorej nga Traktati i Varshavës tashmë do të përdoret për stërvitjet dhe operacionet e Aleancës veriatlantike.

Avionët ushtarakë të NATO-s ishin pjesë e inaugurimit të bazës së Kuçovës, me demonstrime në ajër së bashku edhe me helikopterët amerikanë “Black Haëk”. Pak ditë më parë në këtë bazë u montuan edhe tre dronët ‘Bayraktar’ të blerë në Turqi.

Kryeministrit Edi Rama theksoi se rajoni ynë është “jo pak i rrezikuar” nga Federata Ruse ndaj baza ajrore në Kuçovë dhe ajo detare e planifikuar në Porto Romano do të shërbejnë si element sigurie.

Kryeministri Edi Rama: Është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, të cilin e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neoimperaliste të Federatës Ruse.

Kjo bazë taktike e NATO-s sipas kryeministrit do të sjellë për ta mundësi të reja punësimi për banorët e zonës së Kuçovës, të Tapisë, të Dimalit edhe të Beratit e më gjerë. Rama kujtoi kohën kur nga Kuçova Kremlini planifikonte bombardimin e Vienës, Sttutgartit, Mynihut, Nurenbergut, dy bazave të NATO-s në Danimarkë, tre bazave italianë në Padova, Verona dhe Vicenza.

Komandanti i qendrës së kombinuar të operacionit ajror të NATO-s Pablo Sánchez De Lara vlerësoi rolin e Shqipërise në mbrojtjen e evropës.

Komandanti i NATO-s: Vlerësoj faktin se Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen në këtë kontinent e më gjerë. Jam i sigurt që kjo bazë do të ndërveprojë me strukturat tona në përputhje me standardet e NATO-s dhe do të forcojë bashkëveprimin në kuadër të Aleancës. Do të qëndrojmë gjithmonë krah njëri-tjetrit në këtë mision.

I ngarkuari me Punë të Ambasadës Amerikane David Wisner vlerësoi Shqipërinë për zgjerimin e angazhimit në NATO.

I ngarkuari me Punë i SHBA-ve, David Wisner: Dëshiroj që të përgëzoj Shqipërinë për përurimin e kësaj baze si një gur kilometrik në përkushtimin e Shqipërisë si anëtare në NATO. Përgëzoj dëshirën tuaj për të zgjeruar bashkëpunimin me NATO-n dhe për rritjen e kapaciteve të ushtrisë. Ndërkohë që shkojmë drejt Samitit të NATO-s në verë, ne qëndrojmë së bashku, më të fortë së bashku.

Ndërsa i dërguari nga Ministria turke e Mbrojtjes, u shpreh se aktivitetet ajrore në këtë bazë do të kryhen në mënyrë efektive.

Baza ajrore ushtarake e Kuçovës është ndërtuar në vitin 1950, për t’i shërbyer Traktatit të Varshavës por ajo doli jashtë përdorimit në vitet ’90. Rikonstruksioni i bazës ajrore të Ku֛çovës nisi në janar të vitit 2022.
Për këtë bazë nga NATO ka investuar 50 milionë euro ndërsa 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Klan News