Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Edhe Drejtoria e Policisë së Prefekturës së Elbasanit, ka tashmë sallën e saj operative. Ky investim u realizua falë ndihmës të misionit Interforcë, të policisë italiane. Në ceremoninë e inaugurimit, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Rendit Spartak Poçi, komisari i policisë së Elbasanit Koseni deklaroi, “ky central do të mbulojë me radiovalë, nëpërmjet antenave të drejtuara, të gjithë territorin e prefekturës”. Pas kësaj Koseni kërkoi ndihmë në automjete, e cila do të përsoste edhe më tej punën e policisë së Elbasanit.

Në shkallë vendi, kjo prefekturë zë vendin e parë për nga madhësia e sipërfaqes së territorit dhe vendin e dytë pas Tiranës, për numrin e popullsisë. Ministri Poçi tha, se pas sallave operative në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet e Berat, me një investim prej 4 milion dollarësh, këto salla do të shtrihen në të gjithë territorin e Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare – Vladimir Lame