Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një incident ka ndodhur mesditën e djeshme në Graçanicë. 5 shqiptarë janë rrahur egërsisht nga një grup serbësh deri në humbjen e ndjenjave, mes tyre ishin edhe dy fëmijë.

Turma e serbëve ka bllokuar fillimisht rrugën kryesore dhe më pas ka ndaluar veturën me të cilën shqiptarët po udhëtonin. Ka thyer xhamat e saj dh i ka nxjerrë jashtë 5 shqiptarët. Këta të fundit të shpëtuar nga ndërhyrja e policisë, janë dërguar më pas në spitalin e Prishtinës.

Ndërkohë ka ardhur dhe kundërpërgjigja e AKSH-së, ndaj deklaratave të zv/kryeministrit serb Nebojsh Çoviç, sipas të cilit, pas AKSH qëndrojnë pjesëtarët e trupave mbrojtëse të Kosovës. AKSH-ja jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje dhe komunikim me TMK, por edhe rrugët e tyre janë të ndryshme, thuhet në një komunikatë të saj.

Pretendimet u hodhën poshtë dhe nga trupat mbrojtëse të Kosovës, zëdhënësi i tyre, Enver Dugolli tha, se këto janë përpjekje për të dëmtuar institucionin e TMK-së, e cila është e mbështetur dhe nga bashkësia ndërkombëtare./tvklan.al

Gazetare – Irida Vasia