Përderisa LDK-ja ka dhënë sinjale për rrezikun e mundshëm të prishjes së koalicionit me PDK-në, kjo për shkak të incidentit në Kuvend, kryeparamentari Jakup Krasniqi është shprehur optimist se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Krasniqi ka versuar se nuk është momenti që të ketë krizë institucionale në vend.

Jakup Krasniqi: “Unë nuk mendoj që do të prishet koalicioni, unë mendoj që koalicioni do të bisedojë dhe do ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme dhe të paarsyeshme.”

Duke folur rreth pakënaqësisë së LDK-së me shkarkimin e zëvendës ministrit Naser Osmani nga kryeministri Hashim Thaçi, Krasniqi i ka quajtur partnerët e koalicionit si të shqetësuar. Ndërkohë opozita vlerëson se ngjarja e fundit në kuvend ka qenë një incident i rastësishëm dhe që nuk do të rezult9ijë në prishjen e koalicionit qeveritar.

Naim Maloku: “Unë mendoj që nuk ka arsye me ra qeveria, incidenti nëse aludoni në incidentin e të hënës, personalisht mendoj edhe si grup parlamentar dhe si AAK, incidenti ka qenë në suazat e një incidenti normal që ndodh në parlamentet e tjera.”

Kryesia e LDK-së dje kishte vlerësuar, se vendimi i kryeministrit Thaçi për shkarkimin e Osmanit ka qenë i ngutshëm./tvklan.al