Do të duhen vetëm tre muaj që Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të lidhë kontrata me të gjitha spitalet e vendit, kohë kjo në të cilën do të caktohen edhe kostot për çdo shërbim.

Elvana Hana: “Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontrata me çdo spital brenda Marsit të 2009-tës. Kontratat do të zbatohen në shërbime që realisht ofrohen në spitale në momentin e lidhjes së kontratës dhe aty do të përcaktohen detaje shumë të rëndësishme përsa i takon përllogaritjes së kostove. Kjo reformë i jep, i hap rrugën matjes reale të shërbimit dhe një transparence në sistemin shëndetësor. Pacienti në këtë moment që po flasim do të përfitojnë faktin që spitalet do të kenë më shumë barna”.

Gjatë këtyre tre muajve do të identifikohet edhe shifra e saktë e borxheve të mbartura prej vitesh nga spitalet. Më pas qeveria do të përcaktojë mënyrën se si do të shlyhen këto borxhe.

Futja e spitaleve në skemën e  sigurimeve shëndetësore u siguron atyre autonomi financiare që do të thotë se spitalet do të menaxhojnë vetë paratë për medikamente.

Me këtë skemë të re në rast se këto fonde nuk shpenzohen ato nuk digjen më si më parë, por mund të kalojnë për përdorim në një fazë tjetër./tvklan.al