Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka hedhur poshtë çdo aludim se vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga në Pogradec është tentuar të fshihet nga uniformat blu. Në një dalje për mediat, kryepolici, risolli në vëmendje dinamikën e ngjarjes duke shtuar se Policia e Korçës ka vlerësuar maksimalisht atë.

Muhamet Rrumbullaku: Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz. Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konfliktit është larguar nga vendi i ngjarjes, por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. E theksoj, “Vrasja me dashje”!

Ndryshimin e akuzës nga Prokuroria, kreu i Policisë tha së nuk i takonte atij ta komentonte. Lidhur me shkaqet e ngjarjes, Rrumbullaku theksoi se vrasja ka pasur si zanafillë një konflikt të çastit, duke hedhur poshtë raportimet për gjobëvenie.

Krahas veprimeve policore, aludime pati dhe për menaxhimin e ngjarjes nga stafi mjekësor që i dha ndihmën e parë viktimës. Në një sqarim publik, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se ndihma ka mbërritur për 7 minuta në vendin e ngjarjes.

Skënder Brataj: Mbërritja në vendin e ngjarjes është bërë për 7 minuta. Për 7 minuta ka qenë ekipi në vendin e ngjarjes. Në total, për 20 minuta është menaxhuar misioni me një kod të kuq.

Eli Proga u godit nga 29-vjeçari, Denis Meçe pasditen e 10 Gushtit në lagjen nr.1 në Pogradec. Për ngjarjen në pranga u vunë fillimisht 4 persona, mes tyre autori dhe 3 dëshmitarë okularë. Këta të fundit u lanë në detyrim paraqitje nga gjykata ndërsa autori po qëndron në burg me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”.

Tv Klan