Në muajin Qershor u shënua një ulje e lehtë e çmimeve të konsumit sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave. Më konkretisht inflacioni për muajin Qershor shënoi vlerat 2.1% krahasuar me muajin Maj që ishte 2.2%.

Referuar të dhënave të INSTAT ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve me një vit më parë është shumë i madh, pasi një vit më parë ishte 4,5% për Qershorin. 

Krahasuar me muajin Maj të këtij viti, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” ndikuan në uljen e çmimeve për Qershorin, pasi u ulën me 1,1%, ndjekur nga grupi “Transport” me 0,4%.

Nga ana tjetër, sipas INSTAT ndërtimi ka vijuar të jetë sërish motori i ekonomisë shqiptare muajt e fundit. Gjithashtu kontribut pozitiv ka dhënë edhe administrata publike përmes rritjes së pagave, duke qenë kontribuuesi i dytë më i madh pas ndërtimit.

Sipas njoftimit të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 3,63% në terma realë, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2023. Referuar indikatorëve pozitivë të ekonomisë së vendit, pak ditë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në lekë, në 3% nga 3.25% që ishte. Duke parë këtë ecuri pozitive të ekonomisë, pritet që të ketë sërish ndikim në kahun pozitiv të normave të interesit, duke i dhënë kështu sinjal Bankës së Shqipërisë për një rishikim të këtyre normave në favor të kredimarrësve.

Klan News