Këshilli i Ministrave vendosi përcaktimin e koeficientit të indeksimit të pensioneve me 13.5% për të gjithë pensionistët që kanë dalë në pension prej 1 Korrikut të këtij viti e në vijim.

Vetë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka sqaruar se nga ky indeksim nuk janë përfitues pensionistet që gëzojnë ketë status para Korrikut të 2024-ës. Ky koeficient do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për personat që do të aplikojnë për pensionet e reja, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura në kohë.

Indeksi aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2022, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve.

Pas aplikimit të indeksit të vitit 2022, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001.

Gjithashtu Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thekson se indeksimi tjetër i pensioneve për të gjitha kategoritë do të realizohet në muajin tetor të këtij viti dhe si indeks do të përdoret ai i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve.

Klan News