Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, ka mirëpritur deklaratën e Komisionit Europian ku propozohet, që në samitin e Selanikut të vendoset për një afrim më të madh të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE. Pas një takimi me ministrin italian Rocco Buttiglione, i cili shoqërohej nga Ministri shqiptar për Integrimin Sokol Nako, zoti Meta ka shprehur besimin e Shqipërisë, për një bashkëpunim më të madh të vendeve të rajonit në BE, nën presidencën italiane.

Ilir Meta:- “Dua të çmojë në veçanti angazhimin e Italisë, si një mbështetëse e vendosur për integrimin europian të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, si e vetmja rrugë, për të konsoliduar paqen por njëkohësisht edhe për ta bërë këtë rajon pjesë të ardhshme të Bashkimit Europian. Po kështu dua të theksoj, se ne besojmë, se gjatë presidencës italiane të BE, angazhimet që do të merren në samitin e Selanikut, për integrimin europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, do të pasurohen me iniciativa të reja në këtë drejtim”.

Kjo është konfirmuar edhe nga ministri italian Buttiglione, i cili ka garantuar se Italia do të angazhohet se procesi i Stabilizim Asociimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e në veçanti Shqipëria të pasurohet edhe më tej me elemente të reja të procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate./tvklan.al